29 Prill 2024

James Berisha ndodhet në Eritrea

Prishtinë, 1 shtator - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, pas kontakteve me shërbimet diplomatike të shteteve partnere, ka marrë informacionin se piloti shqiptaro-amerikan James Berisha, gjendet aktualisht në Eritrea, në një prej institucioneve të paraburgimit të këtij shteti.

Me këtë rast, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paraqitur një kërkesë në Ministrinë e  Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës dhe atë të Arabisë Saudite, të cilat kanë relacione të mira me Eritrean, me qëllim që të ndihmojnë në lirimin sa më të shpejtë të z. Berisha nga izolimi.

Gjithsesi, nga informacionet e deritashme, gjendja shëndetësore e z. Berisha është e mirë dhe se ai po trajtohet në mënyrë korrekte nga ana e autoriteteve në Eritrea.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është duke punuar intensivisht për lirimin sa më të shpejtë të James Berishës, në mënyrë që ai t’i kthehet familjes, bashkëpunëtorëve dhe misionit të tij shumë të çmuar lobues për njohjen e Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë.

Piloti James Berisha, ka kontaktuar për herë të fundit me bashkëpunëtorët e  tij në kuadër të Misionit “Flying for Kosovo”, ditën e hënë ( me 15 gusht ) nga Asmara, Eritrea.

Sipas pjesëtarëve të ekipit të tij, plani i Berishës ka qenë që të takohet me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Eritrea dhe të mërkurën, me datë 17 gusht të kthehet në Sudan.