Jakup Krasniqi rizgjedhet kryetar i Kuvendit të Kosovës
Prishtinë, 21 shkurt - Kuvendi i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, e filloi seancën konstituive.
Deputetja më e vjetër Flora Brovina, e hapi këtë seancë e ndihmuar nga deputetja më e re, Biserka Kostiq.
Me shumicë votash sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, është rizgjedhur kryetar i këtij organi Jakup Krasniqi, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ndërkaq nënkryetar u zgjodhën Xhavit Haliti nga PDK, Sabri Hamiti nga LDK, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje dhe 2 nënkryetar nga radhët e komunitetet serb që është Petar Miletic, ndërsa Enis Kerman është zgjedhur nga komunitetet të tjera.
Ai ishte pjesëtar aktiv i LDK-së në Drenas e më vonë edhe anëtar i kryesisë së LDK-së. Angazhohet aktivisht në ndërtimin e strukturave të UÇK-së dhe zëdhënës i saj në kohën e luftës.
Anëtar i delegacionit shqiptar në Rambuje të Francës, ai ishte edhe ministër në qeverinë e parë të Kosovës, për Shërbimet Publike.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje betimin e dhanë, duke ekspozuar secili para vetes nga një flamur kombëtar shqiptar.