Jakup Krasniqi mund të rikonfirmohet si sekretar i PDK-së
Prishtinë, 10 shkurt - Kryetari i i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi mund të rikonfirmohet në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Zyrtarët e PDK-së thonë se javën e ardhshme do të konstituohet Këshilli Drejtues, ndërsa do të vendoset se kur do të zgjidhet Kryesia.
Kadri Veseli, Hajredin Kuçi dhe Zenun Pajaziti janë tre emrat që kanë dalë më të votuarit nga Konventa e Gjashtë Zgjedhore e PDK-së.
Nëse do të merrej parasysh fuqia e votës, këta do duhej të ishin pjesë e Kryesisë së ngushtë të partisë, të përbërë nga Sekretari i Përgjithshëm dhe nënkryetarët.
Burimet e Radio Kosovës brenda PDK-së thonë se kryetari i partisë, Hashim Thaçi, do ta marrë parasysh renditjen e Këshillit Drejtues, por gjithsesi do të ketë parasysh edhe emrat me të cilët PDK-ja është identifikuar vazhdimisht që nga themelimi i saj, e të cilët janë më poshtë në renditjen e Këshillit Drejtues për nga numri i votave.
Sekretari organizativ i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati tha se shpeshherë ka ndodhur që renditja që është bërë me votë, nuk ka reflektuar domosdoshmërisht edhe në formimin e piramidës udhëheqëse të partisë. Megjithatë, sipas tij, vota në konventë është një matës për Kryesinë.
Piramida vjen gjithnjë duke eliminuar kuadro të ndryshëm dhe vijnë kinse më të mirët, më të preferuarit e të tjerë. Është njëfarë barometri edhe kjo, tha ai.