Jakup Krasniqi kritikon Hashim Thaçin
Prishtinë, 22 mars - Kundërshtimet mes kryekuvendarit njëheri sekreatar i partisë Jakup Krasniqit dhe kryeministrit apo liderit të partisë Hashim Thaçit janë shfaqur edhe të mërkurën në mbledhjen e Këshillit Drejtues.
Sekretari i PDK-së tha se kompromiset që po bëhen me Serbinë çojnë drejt një statusi special për Veriun, por me këtë konstatim nuk u pajtua kreu i partisë.
Ky subjekt bëri të ditur se planifikon ti kryejë zgjedhjet e brendshme deri në fund të vitit, ndërsa themeloi Qeverinë në hije për Kryeqytetin.
Këshilli Drejtues i PDK-së ka njoftuar të mërkurën për nisjen e procesit zgjedhor brendapartiak dhe për themelimin e Kabinetit për Qeverisje të Mirë për Prishtinën.
Këto dy vendime janë marrë pasi Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka marrë kritika nga Sekretari i Partisë, Jakup Krasniqi për kompromisin e fundit me Serbinë.
Krasniqi dhe Thaçi kanë treguar se nuk janë në të njëjtën vijë politike kur bëhet fjalë për bisedimet me Serbinë, raporton Express.
Sekretari i PDK-së ka thënë se dialogu që po zhvillohet me Beogradin po e çon Kosovën drejt një kompromisi, e që është statusi special për pjesën veriore.
Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga Këshilli Drejtues i PDK-së të deklarohet rreth fusnotës për të ditur përgjegjësinë.
Ajo fusnotë nuk është e favorshme për Kosovën dhe Këshilli nuk ka debatuar, PDK-ja s`mund ta marrë përgjegjësinë për atë, por deklarimet e tjera që vijnë pas kësaj kohe që konsideroj se kanë marrë krah te këto lëshime që i janë bëtë palës serbe te këto bisedime janë paralajmërim për një autonomi të serbëve në Kosovë. Ndoshta më tepër mendohet për autonomi të pjesës veriore, ka paralajmëruar Krasniqi.