Jakobson fton për zgjedhje të lira dhe demokratike
Prishtinë, 14 maj Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson sot vizitoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e cila u prit nga kryetarja dhe anëtarët e KQZ-së.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u shpreh se kjo vizitë konfirmon miqësinë që shteti i Kosovës ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa e informoi ambasadoren amerikane lidhur me përgatitjet që është duke i zhvilluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për organizimin e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të 8 qershorit.
Dua të shpreh përkushtimin në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se do të punojmë maksimalisht për organizimin e këtyre zgjedhjeve ashtu siç kërkohet me Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi, si dhe me standardet ndërkombëtare, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pavarësisht afateve të shkurtra kohore. Në këtë drejtim, KQZ ka filluar bashkëpunimin edhe me institucionet tjera relevante, për të arritur qëllimin e përbashkët që këto zgjedhje të jenë fer, demokratike, të lirë, dhe ti ofrojmë mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, tha kryetarja Daka.
Në fund të adresimit të saj, në emër të KQZ-së, kryetarja Daka shprehu edhe një herë falënderim për ambasadoren Jacobson për vizitën dhe për ndihmën e vazhdueshmë të qeverisë amerikane.
Në anën tjetër, ambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson shprehu përkrahjen për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile më 8 qershor.
Ambasadorja poashtu tha: Është nder për mua që jam sot këtu për të shprehur respektin tim për rolin shumë të rëndësishëm që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e luan në procesin e zgjedhjeve të Kosovës.
Ambasada pret që të angazhohet në javët në vijim me të gjithë akterët dhe organizatat relevante për të përkrahur përpjekjet e tyre në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të jenë të lira dhe transparente, si dhe një hap përpara në rrugën e Kosovës drejt zhvillimit demokratik dhe Evropës.