Jahjaga zotohet për përmbushjen e kritereve për në BE
Prishtinë, 19 mars - Presindetja e Kosovës Atifete Jahjaga është zotuar ditën e sotme se do të punojë fort që Kosova të përmbushë kriteret për integrimin në Bashkimin Evropian.
"Republika e Kosovës ka përmbushur kriteret afatshkurta që dalin nga Studimi i Fizibilitetit i Komisionit Evropian. Ne kemi ecur përpara drejt hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian", ka theksuar Jahjaga.
Ajo theksoi se integrimi i Kosovës nuk ka alternativë tjetër ndaj duhet të përmbushen të gjitha kriteret që parashikohen në procesin e integrimit.
Presidentja Jahjaga vlerësoi edhe procesin e dialogut duke e konsideruar atë në një fazë të rëndësishme dhe të vetmen rrugë për të ndërtuar marrëdhënie të paqes Kosovë-Serbi.
"Ne, Republika e Kosovës, jemi vendi i vetëm në Ballkan që nuk e ka realizuar ende parimin e lëvizjes së lirë për qytetarët tonë në BE", ka thënë ajo.
Me gjithë praninë e madhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, që nga përfundimi i luftës e deri sot, Kosova sipas Jahjages nuk ka arritur të plotësoj kriteret që ta kemi liberalizimin e vizave.
Kjo ngecje siç ka thënë ajo e lë Kosovën të izoluar, duke ja mohuar mundësitë që qytetarët e tjerë të rajonit i gëzojnë. Institucionet e Kosovës dhe Komisioni Evropian tashmë janë në proces të hartimit të një plani të veprimit të detajuar për liberalizim të vizave.
"Ne kemi ende punë për të bërë sidomos në sundimin e rendit dhe ligjit, sigurisë së dokumenteve, menaxhimit kufitar dhe migracionit, dhe të drejtave fundamentale. Jemi të përkushtuar ti përmbushim të gjitha kriteret e mbetura dhe të kërkuara nga ne para përfundimit të vitit", ka theksuar Jahjaga.
Ndërkaq Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës paraqiti të arrituar konkrete dhe obligimet që ka Kuvendi i Kosovës në procesin e integrimeve evropiane. RTK raporton se ai tha që rruga për integrim do vullnet politik për të pasur sukses.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle, i cili po qëndron për një vizitë në vendin tonë.