Jahjaga: Zgjidhja, sipas vendimit të Kushtetueses
Prishtinë, 2 tetor - Presidentja Atifete Jahjaga ka përsëritur edhe njëherë se liderët e partive politike duhet ti ofrojnë propozimet dhe sugjerimet e tyre për gjetjen e zgjidhjes, konform kuadrit kushtetues.
Në një deklaratë të lëshuar për medie, pas takimit që pati të enjten me liderët e partive politike, presidentja Jahjaga ka thënë se në rast të përafrimit të tyre, do të ndihmonte edhe në mbajtjen e një takimi të përbashkët ndërmjet liderëve.
Presidentja Jahjaga përsëriti qëndrimin për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për krijimin e institucioneve të vendit me qëllim të përmbushjes së pritjeve të qytetarëve të vendit për institucione të qëndrueshme dhe për përshpejtimin e proceseve reformuese në vend e të integrimeve euroatlantike.
Ajo tha se Kuvendi është institucion autonom dhe deputetët e liderët politikë, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Kushtetutës së vendit, duhet të gjejnë mënyrat për të mundësuar krijimin e institucioneve të vendit.
Presidentja Jahjaga tha se liderët politikë duhet ti ofrojnë propozimet dhe sugjerimet e tyre për gjetjen e zgjidhjes, konform kuadrit kushtetues, që në rast të përafrimit të tyre do të ndihmonte edhe në mbajtjen e një takimi të përbashkët ndërmjet tyre, është thënë në deklaratën e Presidencës.