Jahjaga: Zgjedhjet e Serbisë nuk do të mbahen në Kosovë
Prishtinë, 17 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, zotëri Lamberto Zannier.
Presidentja Jahjaga dhe Zannieri, biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për vazhdimin e ndihmës që OSBE jep për Kosovën në fushën e demokratizimit dhe në atë të sigurisë.
Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, që ka shërbyer në Kosovë në cilësinë e përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë dhe shfaqi interesimin e tij për mundësinë e votimit të shtetasve të Kosovës, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet e përgjithshme të Republikës së Serbisë.
Presidentja Jahjaga theksoi se zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë nuk mund dhe nuk do të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës sepse cenojnë integritetin territorial të vendit.
Ajo tha se institucionet e Republikës së Kosovës e njohin standardin ndërkombëtar me të cilin shtetasit me shtetësi të dyfishtë e gëzojnë të drejtën e votimit në zgjedhjet e përgjithshme, dhe për këtë do të respektohen konventat ndërkombëtare.