20 Janar 2025

Jahjaga vizitoi Kllokotin, Gjilanin, Kamenicën e Ranillugun

Prishtinë, 25 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vazhdoi sot vizitat nëpër komunat e Kosovës, në kuadër të nismës së përbashkët me odat ekonomike e me qëllim të diskutimit të sfidave të zhvillimit ekonomik, përkrahjes së bizneseve dhe krijimit të lehtësirave për to, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë.

Presidentja Jahjaga fillimisht vizitoi komunën e Kllokotit, ku u prit nga kryetari Srecko Spasiq, pastaj komunën e Gjilanit, ku bisedoi me kryetarin Lutfi Haziri, komunën e Kamenicës, ku u prit nga kryetari Begzad Sinani, si dhe komunën e Ranillugut, ku u prit nga kryetari Gadimit Mikiq.

Kryetarët e komunave e njoftuan Presidenten Jahjaga me zhvillimet në fushën e ekonomisë në komunat e tyre, me theks të veçantë me përpjekjet që bëjnë pushtetet komunale në përkrahje të bizneseve.

Ata, gjithashtu, shtruan një varg problemesh që dalin në këtë drejtim, qoftë për shkak të problemeve që ndërlidhen me nivelin qendror të pushtetit, qoftë për shkak të problemeve të tjera.

Në takime morën pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.

Ata paraqitën problemet kryesore me të cilat përballen bizneset, qoftë ato vendore, qoftë biznese të huaja që kanë interes për investim në vendin, si dhe paraqitën opsionet për mënyrat se si pushteti lokal, por edhe ai qendror, mund t’i ndihmojnë bizneset dhe me këtë të sigurojnë rritje të shkallës së zhvillimit ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Në një deklaratë bërë gjatë vizitave të sotme, Presidentja Jahjaga tha:

Jemi sot këtu në komunën e Gjilanit, së bashku me kryetarin e komunës dhe me kryetarët e odave ekonomike, Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane, Odës Ekonomike Gjermane, në kuadër të iniciativës së filluar tanimë gati dy javë më herët, që të kemi takime me shumicën e kryetarëve të komunave në Kosovë, që të diskutojmë më hollësisht për gjendjen ekonomike në nivel të komunave.

Sot me kryetarin e komunës patëm një bisedë shumë intensive sa i përket nivelit të zhvillimit ekonomik në komunën e Gjilanit, me problemet me të cilat po ballafaqohen dhe, të them të drejtën, ajo për çfarë biseduam sot, veçanërisht në fushën e përgjegjësive dhe problemeve me të cilat po ballafaqohen nivelet e komunave, nuk dallon shumë nga takimet që i patëm edhe nga ditët e kaluara.

Kryesisht problemet ngërthehen në aspektin ligjor, në aspektin administrativ, duke mos e anashkaluar edhe aspektin politik dhe e gjithë kjo ka për qëllim të shohim se si të mund të intervenojmë sa më parë që është e mundur që të tejkalojmë të gjitha këto vështirësi, probleme, në mënyrë që të tërheqim investime si brenda Kosovës, por veçanërisht investimet e huaja në Kosovë, të cilat janë të ndërlidhura me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe me zbutjen e papunësisë në vend.

Kryetari i komunës së Gjilani, Lutfi Haziri u shpreh:

Zhvillimi lokal ekonomik është detyra e parë e komunave, sepse ne jemi ata që sigurojmë, garantojmë zhvillim lokal ekonomik, duke ofruar mundësi për investitorë dhe ajo që presidentja e Republikës nënvizoi është se koha është e fundit që institucionet e Kosovës t’i kushtojnë vëmendje, kujdes edhe përkushtim më të madh zhvillimit lokal ekonomik dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi.

Gjilani është shpallur qyteti me mundësi të investimeve, qyteti më i mirë i bërit biznes në Evropën Juglindore. Ne ofrojmë potenciale dhe shembuj të mirë. Jemi komunë që kemi zero tarifë të taksave të regjistrimit të bizneseve. Jemi komunë e cila mund t’u ofrojë zhvillim investitorëve të brendshëm, të jashtëm dhe investitorëve të tjerë. Kemi shembuj të mirë, kemi interesim dhe e njoftova presidenten, por po ashtu kemi edhe probleme në burokraci, edhe probleme të nevojës për të reformuar sidomos ligjin e tokave, ligjin e pronave dhe agjencinë e pyjeve. Po ashtu, dhe disa veprime konkrete që besoj shumë që Qeveria në të ardhmen me sugjerimin dhe angazhimet që do të dalin nga këtu, do t’i ndërmarrë.

Gjilani mbetet si qendra e Anamoravës me potenciale të mëdha ekonomike dhe ne do t’i shfrytëzojmë nëse e shohim mbështetjen e Presidentes dhe të tre kryetarëve të odave ekonomike më të fuqishme sot në Kosovë, për t’i dhënë mundësi zhvillimore kësaj pjese të Kosovës.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z.Safet Gërxhaliu theksoi:

Është me rëndësi të veçantë që jemi sot me presidenten dhe e takojmë kryetarin e komunës së Gjilanit, njërin nga kryetarët më aktivë. Dëshirojmë që përmes një vizite të tillë të gjenerojmë efektet multidimensionale. Këto vizita nuk kanë vetëm mundësi ekonomike, edhe përkundër asaj që ne dëshirojmë që ta vëmë në prioritet ekonominë, kanë edhe rëndësi motivuese, sepse jemi dëshmitarë të një agjende të stërngarkuar politike dhe është koha që t’i kushtojmë ekonomisë një përkushtim më të madh.

Vetë fakti që Presidentja e tregoi këtë gatishmëri na forcon neve si përfaqësues të bizneseve.

Ajo çka është më esenciale është vërejtja e mungesës së komunikimit nga niveli qendror në atë lokal. Zakonisht mendojmë që problemet duhet të zgjidhen vetëm në Prishtinë dhe problemet në komuna shihen nga Prishtina. Mirëpo, këto vizita po nxjerrin në pah vërtet vështirësi të shumta me të cilat ballafaqohet niveli lokal, duke filluar nga problemi me prona, qoftë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, qoftë me Agjencinë e Pyjeve, me prokurimin publik që e favorizon çmimin më të lirë, dhe jo kualitetin, jo qëndrueshmërinë.

Duhet të punohet më tepër për krijimin e vendeve të reja të punës, sepse si duket kjo është sfida më e madhe me të cilën ballafaqohen komunat dhe Kosova dhe qëllimi kryesor i gatishmërisë së Presidentes është vërtet që t’i shpallim një formë lufte të përbashkët papunësisë, si një ndër armiqtë kryesorë të Kosovës për momentin.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)