Jahjaga: Vajzat dhe gratë janë nxitëse të paqes dhe të ndryshimit
Prishtinë, 22 Prill Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi një bisedë me vajzat e reja nga Kosova dhe Serbia, pjesëmarrëse në Akademinë e Paqes për Vajzat, duke u përgjigjur në pyetjet e tyre rreth rolit të gruas në shoqëritë tona.
Ajo i përgëzoi vajzat që janë pjesë e kësaj platforme të ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe të paqes së qëndrueshme.
Presidentja Jahjaga tha se vajzat dhe gratë janë nxitëse të paqes dhe të ndryshimit në komunitetet e tyre, duke shtuar se kjo ka qenë më se e dukshme edhe në dekadën e fundit kur ishin gratë ato që hodhën hapat e parë drejt ndërtimit të urave të mirëkuptimit midis dy vendeve.
Presidentja Jahjaga tha se roli i grave dhe vajzave në shoqëri është kyç në çdo fushë të jetës, ato vazhdojnë të përballen me vështirësi të shumta dhe me trajtim jo të barabartë në shoqëri, por theksoi se duke punuar së bashku mund të arrihen ndryshimet të cilat i synojmë.
Presidentja Jahjaga ju premtoi vajzave se do vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj të pakursyer duke mos lejuar politikat ditore të ndikojnë në ndërtimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndërtimin e së ardhmes prosperuese për të gjithë qytetarët pa dallim.
Akademia e Paqes për Vajzat është projekt që synon fuqizimin e vajzave dhe ngritjen e tyre profesionale, për të sjellë ndryshime si në nivel lokal edhe atë ndërkombëtar, për të sjellë ndryshime pozitive. Ky projekt implementohet nga organizata Kvinna till Kvinna.