Jahjaga: USAID një mik i qytetarëve të Kosovës
Gjakovë, 16 prill - Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në ceremoninë e shënimit të 15-vjetorit të themelimit të Misionit të USAID në Kosovë, ka deklaruar se pesëmbëdhjetë vite më parë, përfundoi një ndër luftërat më të përgjakshme që kishte parë Evropa e shekullit të 20-të duke lënë pas shkatërrim, vuajtje e humbje.
\"Ishin pikërisht këto ideale që mveshi misioni i USAID në Kosovë, duke i shtrirë dorën e ndihmës së popullit amerikan qytetarëve të Kosovës, ndërmjet të cilëve u ndërtua një lidhje e fuqishme e përjetshme miqësie\", ka theksuar ajo.
Sipas saj USAID ndër vite ishte dhe vazhdon të jetë një mik i qytetarëve të Kosovës, partner i institucioneve të saj, i sektorit privat dhe shoqërisë civile, i udhëhequr nga synimi për të ofruar mbështetje për vendosjen e bazës së sigurt të një shteti që ofron dhe garanton zhvillim, mirëqenie e siguri.
\"Bashkëpunimi i ngushtë me misionin e USAID-it vazhdon të mbetet i rëndësishëm për fuqizimin ekonomik të vendit, për hapjen e vendeve të reja të punës, për forcimin e sektorit privat, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe sundimin e rendit dhe ligjit, për fuqizimin e rolit të gruas dhe për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse ku çdo qytetari i ofrohen mundësitë për jetë dinjitoze\", ka theksuar ajo.