Jahjaga uron Nishanin për pavarësinë
Prishtinë, 26 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar nëpërmjet një mesazhi Presidentin e Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani me rastin e Festës së Pavarësisë.
Në mesazhin e saj për këtë ditë të veçantë për Shqipërinë, Jahjaga shkruan se Shqipëria është sot një vend demokratik, anëtar i NATO-s, e suksesshme në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe kontribuuese e rëndësishme e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Ajo, nënvizoi gjithashtu faktin se marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës janë një shembull i mirë i bashkëpunimit të gjithanshëm, frytdhënës dhe konstruktiv.
Më poshtë mesazhi i plotë
Shkëlqesia Juaj, i nderuar President Nishani!
Me rastin e Festave të Nëntorit, të përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në emër të institucioneve, qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim Ju përcjell urimet më të përzemërta për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Dita e pavarësisë shënon një nga datat më të rëndësishme, një kurorëzim i përpjekjeve shekullore të popullit për të qenë i lirë dhe i barabartë, zot i fatit dhe i ndërtimit të ardhmërisë së vet, në miqësi dhe në bashkëpunim me popujt e tjerë, si faktor domethënës paqeje dhe stabiliteti në këtë pjesë të Evropës.
Republika e Shqipërisë është sot një vend demokratik, anëtar i NATO-s, e suksesshme në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, kontribuuese e rëndësishme e marrëdhënieve të mira fqinjësore, promovuese e vlerave të paqes, të bashkëpunimit e të ndihmës së ndërsjellët ndërmjet vendeve dhe popujve.
Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës janë një shembull i mirë i bashkëpunimit të gjithanshëm, frytdhënës, konstruktiv e të sinqertë në të gjitha fushat, kontribuues në përparimin, zhvillimin e rritjen e mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendeve tona.
Duke Ju uruar dhe një herë për Ditën e Pavarësisë, Ju shpreh konsideratat e mia më të larta. - përfundon mesazhi i Presidentes Jahjaga drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar.