23 Janar 2025

Jahjaga u kërkon mitrovicasve që të mos e lëshojnë Kosovën

Prishtinë, 19 shkurt - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga  ambasadori gjerman, Ernest Reichel, ka vizituar Mitrovicën, ku fillimisht është pritura nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe bashkëpunëtorët e tij dhe më pas ka bashkëbiseduar me qytetarët e Mitrovicës për problemin e migrimit dhe problemet tjera me të cilat ata po ballafaqohen në jetën e përditshme.

Presidentja Jahjaga tha se qëllimi i vizitës së saj është takimi me qytetarët e Mitrovicës, për t’iu thënë atyre se migrimi ilegal nuk është zgjidhje dhe perspektivë për ta.

“Kam filluar me vizita në qytete të Kosovës, që t’u them qytetarëve se migrimi ilegal nuk është zgjidhje për ta, prandaj edhe vazhdimisht po bëj apel që të ndalet ky fenomen. Sot erdhëm edhe në Mitrovicë për të njëjtën gjë dhe po ashtu do tu them edhe mitrovicasve që të  qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, tha Jahjaga.

Reichel po ashtu tha se vizita e tij ka të njëjtin qëllim me presidenten, për t’iu thënë qytetarëve se migrimi ilegal nuk është zgjidhje, dhe se ka mënyra të tjera për të migruar dhe për të gjetur një vend pune, por jo migrimi ilegal.

Presidentja Jahjaga u interesua për numrin e familjeve që kanë migruar, numrin e nxënësve që nuk janë më në shkollat e kësaj komune dhe rreth fluksit të qytetarëve që të pajisen me dokumente për migrim jashtë vendit.

Kryetari Bahtiri i tha presidentes Jahjaga se edhe në Mitrovicë ka persona qe kanë migruar, por numri i tyre është më i vogël se sa në komunat tjera dhe tani ka rënie drastike të numrit të qytetarëve që kërkojnë dokumente udhëtimi për jashtë vendit. “Ne si komunë, jemi angazhuar shumë që t’i bindim qytetarët tanë që mos ta lëshojnë vendin dhe besoj se angazhimi ynë ka sjell rezultate”, theksoj Bahtiri.

Pas takimit në ndërtesën e komunës, Bahtiri dhe Jahjaga kanë bashkëbiseduar me qytetarët e Mitrovicës, me ç’rast kanë dëgjuar brengat dhe shqetësimet e tyre, si dhe kanë kërkuar nga ta që mos ta lëshojnë vendin, por të qëndrojnë këtu dhe të punojnë për ndërtimin e shtetit të Kosovës, sepse perspektiva për ta është këtu.   

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, gjatë bisedës me presidenten Jahjaga në kabinetin e tij, i njoftoj mysafirët me angazhimet e autoriteteve komunale në fushën e zhvillimit ekonomik.

“Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur që të realizojmë sa më shumë projekte në fushën e zhvillimit ekonomik, e që njëkohësisht do të thotë edhe hapje të vendeve të reja të punës për të rinjtë e Komunës. Në këtë aspekt, gjatë 12 muajve të fundit janë arritur rezultate konkrete, pasi që kemi nënshkruar kontrata me investitorë të huaj në vlerë prej rreth 200 milionë euro”, ka thënë kryetari Bahtiri.

 
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)