Jahjaga: Të respektohet vendimi i Kushtetueses
Prishtinë, 26 gusht - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u ka bërë thirrje të gjitha palëve politike që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjes Isa Mustafës në pozitën e kryetarit të Kuvendit.
Zyra e presidentes në një deklaratë dërguar Zërit të Amerikës thekson partitë politike duhet të punojnë më shumë në konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës Vendimi i Gjykatës kushtetuese obligon të gjitha palët që ta respektojnë atë në përpjekje për të garantuar një proces të drejtë dhe të besueshëm për të siguruar funksionimin e shtetit të së drejtës.
Në përputhje me të drejtat dhe detyrimet e saj kushtetuese, si faktor uniteti dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve si dhe në zbatim të vendimeve të Gjykatës kushtetuese. Presidentja do të veprojë vetëm në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve dhe autonominë e institucioneve.
Zyra e presidentes thekson se në interes të vendit dhe të përmbushjes së detyrimeve ndaj qytetarëve dhe proceseve demokratike, konstituimi i shpejtë i Parlamentit të Kosovës dhe institucioneve tjera është i rëndësisë së veçantë, thuhet në deklaratë, duke lënë të nënkuptohet së ajo nuk do të përfshihet në këtë periudhë në procesin që i takon Parlamentit si organi më i lartë ligjvënës.