Jahjaga: Sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioritet kryesor
Sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioritet kryesor i të gjitha institucioneve të Kosovës. Krijimi i një sistemi efikas dhe transparent të drejtësisë në shërbim të qytetarëve është elementi më i rëndësishëm i realizimit të këtij qëllimi, u shpreh Jahjaga gjatë një fjalimi në Kuvendin Zgjedhor të Odës së Avokateve të Kosovës.
Presidentja Atifete Jahjaga, bëri thirrje sot për reformimin e sistemit gjyqësorë, në mënyrë që të mos rrezikohet integrimi dhe zhvillimi demokratik i vendit. Duke folur në Kuvendin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Jahjaga, tha se forcimi i sistemit të drejtësisë është nevojë urgjente, pasi në këtë mënyrë përcaktohet e ardhmja e shtetit. Jahjaga foli edhe për raportin e progresit për të cilin tha se është një dokument real, i cili i ndihmon institucionet për të përmirësuar punën në fushat ku ka ngecur përparimi.
Presidentja Jahjaga u bëri thirrje avokatëve të që respektojnë ligjin dhe mbrojtjen që ai e ofron. Ndërkaq, kryetari i deritashëm i Odës së Avokatëve, Musa Dragusha, tha se arritja e standardeve demokratike paraqet synimin kryesorë të avokatisë në Kosovë.
Kuvendi zgjedhor i Odës së Avokatëve të Kosovës, nuk arriti të zgjedh kryetarin e ri për shkak të mungesës së kuorumit. Ligji për avokatinë parasheh që të pranishëm në votim duhet të jenë mbi 50 përqind e delegatëve. Për këtë arsye votimi për kryetarin e ri do të mbahet në fund të këtij muaji.