Jahjaga shpreh përkrahjen për integrimin e komunitetit rom
Prishtinë, 5 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot një delegacion të komunitetit rom, të përfaqësuar nga Albert Kinolli, deputet në Kuvendin e Kosovës, Shpresa Agushi nga Rrjeti i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptiane dhe Organizatat e Grave Egjiptiane të Kosovës (RROGRAEK) dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile dhe mediave në gjuhën rome.
Presidentja Jahjaga ua uroi atyre 8 prillin, Ditën e Romëve dhe shprehu përkrahjen e saj të plotë për iniciativat e këtij komuniteti për integrim.
Ajo theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për respektimin e lirive dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa kurrfarë dallimi.
Përfaqësuesit e komunitetit rom falënderuan Presidenten Jahjaga për ndihmën e saj dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës në integrimin e komuniteti rom dhe në krijimin e mundësive që ky komunitet të ruajë traditën dhe identitetin e tij.