Jahjaga: Rruga e ikjes për njerëzit e Kosovës ka përfunduar


"Më lejoni që prej këtu sot të shpreh brengën time të thellë, po aq sa edhe brengën e secilit qytetar të Kosovës, për largimin e të rinjve tanë nga vendi, drejt një të ardhmeje jo fort të qartë."
"Shpreh brengën time të thellë me ato pamje të të rinjve tanë të vendosur në kampe refugjatësh, pa asnjë shpresë për të fituar një perspektivë të re. Rruga e ikjes ka përfunduar për ne, për njerëzit e përvuajtur të Kosovës, që këtu e 15 vjet më parë qenë dëbuar me dhunë."
"E kuptoj drejt vështirësinë e jetës dhe dëshpërimin e secilit prej atyre që ka marrë këtë rrugë, por rruga e frikës, ikjes dhe dëbimeve nuk përsëritet më. Kosova nuk është më vatër e krizës, por një shtet i pranuar ndërkombëtarisht, që respekton normat, ligjet dhe konventat ndërkombëtare", ka theksuar Jahjaga.
Kosova sipas saj është shtet që po kërkon mënyra për tu zhvilluar dhe përparuar, për të hapur vende të reja pune, që do të pamundësojnë kërkimin e një jete të re, përtej kufijve tanë.
"Guximi ynë për tu përballur me vështirësitë sot do të ndryshojë jetën tonë dhe do të ndihmojë në zhvillimin e shtetit tonë. Dhe guximi për të ndryshuar dhe përparuar të sotmen do të përshpejtojë rrugën e integrimeve tona evropiane, që nuk mund dhe nuk duhet të rrezikohet nga asgjë".
Ajo ka theksuar se tre vjet më parë Kosova e fitoi një ndër betejat më të rëndësishme në fushën e së drejtës ndërkombëtare si verdikt shpalljes së pavarësisë, shtetndërtimit, subjektivitetit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të vendit, duke dëshmuar se vullneti dhe vlerat mbi të cilat kemi formuar shtetin ishin të drejta dhe mishërojnë vullnetin dhe vlerat e demokracisë botërore.
"Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është verdikti i drejtë që njohu përpjekjet e popullit për liri dhe pavarësi, që i dha Kosovës shansin e rikthimit në familjen evropiane dhe që vendosi paqen dhe sigurinë në gjithë rajonin e Ballkanit".
Ky shtet sipas Jagjages i ka rrënjët në rend dhe ligj, që respektohet e zbatohet nga të gjithë dhe përpara të cilit secili qytetar është i barabartë.
Ky shtet i së drejtës nuk do të njohë më fuqinë e krimit por dorën e fuqishme të ligjit, që do të vendosë rregullin në shoqërinë tonë.
"Kemi shpallur një varg luftërash kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kemi shprehur vullnetin tonë të fortë për ti fituar ato. Këto nuk janë dhe nuk mund të jenë vetëm fjalë betejat tona në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar duhet të fuqizohen dhe të thellohen më shumë. Sepse luftën kundër tyre nuk mund ta humbim, sepse do të humbnim perspektivën tonë evropiane dhe sepse do të humbnim mirëqenien e qytetarëve tanë", theksoi Presidentja Jahjaga.
Ndërkaq Kryeministri, Hashim Thaçi në manifestimin e Ditës së Drejtësisë ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera janë të përkushtuara maksimalisht që të ketë më tepër rend dhe ligj në Kosovë, që të ketë betejë më të suksesshme kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve tjera negative.
"Pra, asnjë çështje tjetër nuk është më thelbësore për Qeverinë e Republikës së Kosovës se sa garantimi i barazisë para ligjit dhe sundimi i ligjit që në fakt paraqesin thelbin e ekzistimit dhe mbizotërimit të drejtësisë në vendin tonë", ka theksuar Thaçi.