Jahjaga, raporton në Kuvendin e Kosovës
Prishtinë, 9 dhjetor - Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca parlamentare dhe do ta vazhdojë seancën e papërfunduar të 5 dhjetorit. Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.
Gjatë seancës së parë Presidentja, Atifete Jahjaga, do tu adresohet deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër obligimit të saj kushtetues (fjala e saj vjetore në Kuvend).
Në seancën e dytë shqyrtohen katër projektligje dhe dy raporte të komisioneve parlamentare, si dhe do të zgjidhen gjashtë anëtarë të dy agjencive të pavarura.
Në të njëjtën ditë do të vazhdohet me dy pikat e mbetura nga seanca e shkuar: Votimi i Raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2012, si dhe emërimi i kryetarit dhe i anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Në seancën e re që do të mbahet në të njëjtën ditë, pas pikave të përhershme të seancave të rregullta: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë katër projektligje.
Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës dhe Projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen:Projektligji për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Projektligji për investimet e huaja.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, si dhe Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ndërmarrjet publike.
Do të vazhdohet me zgjedhjen e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, dhe të dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.
Në seancë do të kërkohet vota formale për propozimin e Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor ( Sala Berisha Shala në vend të deputetit Njazi Idrizi).
Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar me kërkesën e ministrit të Energjetikës dhe Minierave, Fadil Ismaili, lidhur me procedurat e tenderimit për ofruesin e shërbimeve profesionale për procesin e riorganizimit të ndërmarrjes Trepça, çështje kjo të cilën Kryesia ia ka deleguar komisionit përkatës parlamentar, për të përgatitur raportin me rekomandime.
Ata janë njoftuar për pjesëmarrjen e Komisionit për Integrime Evropiane në Konferencën e tetë të komisioneve parlamentare për integrime evropiane të shteteve pjesëmarrëse në procesin e Stabilizim Asocimit të Evropës Juglindore-COSAP.
Janë njoftuar gjithashtu edhe për dorëheqje e deputetit Etem Arifi nga Grupi Parlamentar Ardhmëria e Përbashkët.Ai pohon