Jahjaga: Rajoni duhet të ndjekë shembullin e Kosovës
Prishtinë, 28 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se Gjykata Speciale për krime lufte nuk duhet të shihet si përpjekje për ta njollosur luftën tonë për liri dhe pavarësi.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Jahjaga ka thënë se vendimi për themelimin e kësaj gjykate nga ana e Kuvendit të Kosovës duhet të merret si shembull nga vendet e rajonit.
Në këtë kontekst, ajo ka thënë se kjo është rruga e vetme për tu mbetur besnikë idealeve dhe vlerave mbi të cilat po e ndërtojmë Kosovën.
Gatishmëria jonë për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare duhet të jetë shembull për inkurajimin e vendeve të tjera të rajonit për tu përballur me të kaluarën e tyre, ka deklaruar presidentja Jahjaga.
Presidentja Jahjaga ka thënë se do të ishte një prej goditjeve më të rënda për shtetin e Kosovës, kthim prapa për të gjitha proceset dhe gjithsesi dëmtim i shtetësisë së Kosovës në skenën ndërkombëtare në rast se çështja e kësaj gjykate do të kalonte nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ajo ka thënë se vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ka qenë pjesë e diskutimeve të institucioneve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar si dhe e pajtimit me subjektet politike në Kosovë. Votimi në Kuvend reflekton pajtueshmërinë e të gjithë faktorëve në një proces gjithëpërfshirës, është shprehur Jahjaga.
Shefja e shtetit në këtë intervistë ka folur edhe për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) dhe kushtëzimin që janë duke bërë minoritetet në raport me vazhdimin e vendeve të rezervuara.
Ky proces gjithëpërfshirës, organik dhe ndërinstitucional, transparent dhe i përgjegjshëm, do ta sjellë përfundimin që forca e ardhshme të quhet Forcat e Armatosura të Kosovës. Ndërkaq, kur bëhet fjalë për vendet e rezervuara, unë u kam bërë thirrje të gjitha partive dhe subjekteve politike ta përfundojnë procesin e reformave, ti gjejnë zgjidhjet më të mira në kuadër të reformës që do të ndihmonte në avancimin e agjendës evropiane për Kosovën, është shprehur Jahjaga.
E duke folur për sfidat nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, presidentja Jahjaga ka thënë se krahas sundimit të rendit dhe ligjit, vendi ynë ka nevojë urgjente për zhvillim ekonomik. Kosova ka nevojë urgjente për zhvillim ekonomik, për krijimin e një mjedisi të sigurt për investime dhe kjo do të garantojë të ardhmen, ka deklaruar Jahjaga.
(Epoka e re)