Jahjaga: Qytetarët e Kosovës nuk mund të bëhen peng
Prishtinë, 18 nëntor - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se dhuna kundër policisë dhe vandalizmi i pronës, private e publike, nuk mund të arsyetohet në asnjë rast.
Jahjaga në profilin social Facebook ka shkruar se të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të papranueshme, të dhunës në sheshet dhe rrugët e Prishtinës që po dëmtojnë rendin dhe ligjin dhe po cenojnë rëndë sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Dhuna kundër policisë dhe vandalizmi i pronës, private e publike, nuk mund të arsyetohet në asnjë rast. Qetësia dhe rendi duhet të rivendosen dhe kryeqytetit duhet ti rikthehet normaliteti. Qytetarët e Kosovës nuk mund të bëhen peng i një situate jonormale që po mbretëron në vendin tonë, ka thënë ajo.
Sipas saj, dialogu dhe institucionet janë mënyrat e vetme për ta tejkaluar situatën e krijuar dhe duhet të veprojmë bashkërisht për parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes.