20 Janar 2025

Jahjaga priti Presidentin e Zvicrës, Didier Burkhalter

Prishtinë, 25 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim Presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Didier Burkhalter, me të cilin diskutuan për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian të vendit.

Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Zvicrës në strehimin e shumë qytetarëve të Kosovës në këtë vend gjatë viteve të 90-ta, vendosjen e paqes dhe stabilitetit përmes kontingjentit zviceran në forcën paqeruajtëse të KFOR-it, si dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se ky është një vit i rëndësishëm zgjedhor në Kosovë, dhe se spektri politik i Kosovës dhe institucionet e vendit janë të përkushtuar, ashtu si në zgjedhjet e fundit lokale, që të sigurojnë një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, që do të jetë gjithashtu një test i pjekurisë tonë demokratike dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka nevojë urgjente të adresojë zhvillimin ekonomik dhe të tërheqë investimet e huaja, të cilat do të ndihmonin në rivitalizimin ekonomik të vendit. Duke pasur parasysh afërsinë e bizneseve zvicerane me tregun tonë, por edhe diasporën tonë që jeton në Zvicër, Presidentja Jahjaga kërkoi identifikimin e fushave të interesit të përbashkët për të dinamizuar këto lidhje dhe për të krijuar mundësi të mira për investime.

Presidentja Jahjaga, po ashtu, theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor është në një moment vendimtar, veçanërisht me hapjen e kapitullit të ri për paqe dhe pajtim që u hap me dialogun Kosovë-Serbi, që do t’i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, si kusht kryesor për anëtarësimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Ajo kërkoi që marrëveshjet e arritura në Bruksel të zbatohen në plotëni.

Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, zotëri Didier Burkhalter, i cili është njëherit shef i Departamentit federal për Punë të Jashtme dhe Kryesues i radhës së OSBE-së, theksoi se Kosova ka arritur progres të konsiderueshëm dhe Zvicra mbështet vizionin e Kosovës për të ardhmen. Presidenti Burkhalter tha se bizneset zvicerane duan të bëjnë investime afatgjata në rajon dhe e konsiderojnë forcimin e rendit dhe ligjit si parakusht për një hap të tillë.

Në kuadër të kryesimit të radhës të OSBE-së, Presidenti Burkhalter theksoi se Zvicra do të bëjë përpjekje për të integruar Kosovën në iniciativat rajonale. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e OSBE-së që të lehtësojë procesin e zgjedhjeve të ardhshme në Republikën e Kosovës. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)