Jahjaga priti në takim lamtumirës komandantin Halbauer
Prishtinë, 4 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman Volker Halbauer, i shoqëruar nga komandanti i ardhshëm i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali italian Salvatore Farina.
Presidentja Jahjaga e përgëzoi gjeneralin Halbauer për punën e palodhshme të ushtarëve të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.
Ajo e falënderoi komandantin e KFOR-it për rolin që ka luajtur kjo forcë në arritjen e kapaciteteve të plota të FSK-së dhe për proceset drejt integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga i uroi komandantit të ri të KFOR-it, Salvatore Farina, mirëseardhjen dhe i shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për vazhdim të bashkëpunimit me KFOR-it në dobi të paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.
Komandanti i KFOR-it në largim, gjenerali gjerman Volker Halbauer, falënderoi Presidenten Jahjaga për bashkëpunimin dhe ritheksoi vendosmërinë e NATO-s për të vazhduar misionin paqeruajtës në Kosovë në përputhje me mandatin që ka, ofrimin e ambientit të sigurt dhe stabilitetit të përgjithshëm.