Jahjaga priti në takim lamtumirës drejtorin e Korpusit amerikan të Paqes
Prishtinë, 23 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim lamtumirës drejtorin e Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, Stephen Kutzy i cili shoqërohej nga drejtoresha e re e këtij korpusi Darlene Grant.
Presidentja Jahjaga çmoi lartë kontributin e zotit Kutzy si drejtori i parë i Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë. Ajo theksoi se angazhimi i zotit Kutzy dhe i të gjithë vullnetarëve është shumë i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve midis qytetarëve të Kosovës dhe popullit amerikan si dhe për thellimin e miqësisë midis dy vendeve.
Në të njëjtën kohë, Presidentja Jahjaga i dëshiroi mirëseardhje në Kosovë drejtoreshës së re të Korpusit amerikan të Paqes zonjës Darlene Grant dhe e inkurajoi atë për të vazhduar me sukses misionin e filluar nga zotëri Kutzy, që përmes angazhimit të vullnetarëve, ti ofrohet ndihmë të gjitha komuniteteve që jetojnë nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës.
Drejtori i Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, zotëri Stephen Kutzy, e falënderoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen që institucionet dhe qytetarët e Kosovës i kanë ofruar atij personalisht por edhe vullnetarëve të Korpusit amerikan të Paqes.