Jahjaga priti ministrin e mbrojtjes së Portugalisë
Prishtinë, 3 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e mbrojtjes së Portugalisë, Jose Pedro Aguiar-Branco, i cili theksoi se vendi i tij po e vlerëson dhe analizon nevojën e vazhdimit të pranisë ushtarake portugeze në kuadër të forcës paqeruajtëse të NATO-s dhe mundësinë e ndërtimit të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e sigurisë.
Presdientja Jahjaga dhe ministri Aguiar Branco ritheksuan domosdoshmërinë e angazhimit në ruajtjen e sigurisë në periudhën e kërcënimeve globale dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në këtë fushë.
Presidentja Jahjaga tha se forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë ka luajtur rol për sigurinë e vendit dhe gjithashtu vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm për stabilitetin në gjithë rajonin e Evropës Juglindore e më gjerë.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe theksuan domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat e në veçanti në fushën e ekonomisë.