Jahjaga priti kongresistin e SHBA-së Dana Rohrabacher
Prishtinë, 11 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim kongresistin e SHBA-së, zotëri Dana Rohrabacher, me te cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon si dhe për rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Presidentja Jahjaga dhe kongresisti Rohrabacher vlerësuan të arriturat në Kosovë duke vënë theks të posaçëm në zhvillimin ekonomik, investimet e huaja që do të mundësonin hapjen e vendeve të reja të punës dhe në këtë rrafsh edhe zhvillimin e sektorit energjetik.
Të dy bashkëbiseduesit biseduan për nevojat e Kosovës në fushën e energjetikës dhe gjetjes së mënyrave të shfrytëzimit të energjisë alternative.
Presidentja Jahjaga dhe kongresisti Rohrabacher biseduan edhe për forcimin e demokracisë në Kosovë, ndërtimin e shoqërisë gjithëpërfshirëse dhe avancimin e të drejtave të njeriut, për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kovë dhe në veçanti të komuniteteve pakicë.