Jahjaga priti Komisioneren e Lartë të OKB-së, Navi Pillay
Prishtinë, 20 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Komisioneren e Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, zonjën Navi Pillay.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka shënuar përparime të mëdha në promovimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut, të cilat i ka inkorporuar në Kushtetutën dhe ligjet e saj.
Ajo tha se Kosova është shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar, ku të gjithë qytetarët, pa dallim, i gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta.
Presidentja Jahjaga theksoi se toleranca dhe mirëkuptimi janë vlera të shoqërisë në Kosovë dhe qytetarët e të gjitha komuniteteve kanë mundësi të barabarta.
Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, zonja Navi Pllay, theksoi se vizita e parë e saj në Kosovë i shërben asaj për tu njohur më për së afërmi me të drejtat e njeriut të të gjitha komuniteteve dhe grupeve.
Pillay theksoi se është me rëndësi që të gjithë qytetarët, pa dallim, dhe të gjitha komunitetet të njihen me të drejtat e njeriut dhe ti gëzojnë ato.