Jahjaga priti ambasadorin e Kroacisë, Zoran Vodopija
Prishtinë, 22 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Kroacisë zotëri Zoran Vodopija, në përfundim të mandatit të tij në Kosovë.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi kontributin e ambasadorit Vodopija në thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Kroacisë dhe shprehu mirënjohje për Kroacinë si një vend mik që i ka mbështetur në vazhdimësi proceset e shtetndërtimit nëpër të cilat ka kaluar Kosova. së.
Presidentja Jahjaga shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të zgjeruar edhe më tej bashkëpunim ndërshtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë në çdo sferë me interes dypalësh.
Ambasadori i Republikës së Kroacisë zotëri Zoran Vodopija e falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen që i kanë dhënë institucionet e Kosovës gjatë mandatit të tij në Kosovë. Ai shprehu vendosmërinë e institucioneve shtetërore të Kroacisë për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët.