Jahjaga: OSHP-ja është kushti i BE-së për vizat
Prishtinë, 15 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është shprehur e zhgënjyer me deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi Kuvendi dështoi të emërojë anëtarët e rinj të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Presidentja, në Facebook ka shkruar se emërimi i anëtarëve të OSHP-së është një nga kushtet kryesore të BE-së që qytetarëve të Kosovës tu lejohet liberalizimi i vizave.
Dua ta shpreh qartazi dhe publikisht zhgënjimin tim me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që sot dështuan të emërojnë anëtarët e rinj të Organit Shqyrtues të Prokurimit, njëri nga kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky dështim, në ditët kur në Kosovë pritet ekipi i Bashkimit Evropian për të vlerësuar përparimin e Kosovës në plotësimin e kritereve që jemi zotuar t\'i përmbushim, rrezikon të vazhdojë t\'i mbajë qytetarët e Kosovës të izoluar për shkak të interesave të ngushta të atyre që prioritet kryesor duhet ta kenë mirëqenien e qytetarëve, thuhet në reagimin e presidentes.
Sipas OSHP-së, OSHP-ja është institucion i rëndësishëm dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në këtë institucion si dhe ndikimi politik mbi të ka kohë që është bërë pengesë për zhvillimet pozitive në Kosovë.
U bëj thirrje institucioneve të Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit dhe të gjitha subjekteve politike që të marrin përgjegjësinë dhe të gjejnë zgjidhje në mënyrë që ky kriter të plotësohet pa vonesë, thuhet në fund.