Jahjaga: Nuk do të ketë vend për anarki
Presidentja Jahjaga këto komente i bëri gjatë takimit me gratë arariste shqiptare e serbe në Shtërpcë, të cilat kishin organizuar panairin e ndërmarrmarrjeve për të reklamuar produktet e tyre.
Jahjaga duke iu referuar ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, deklaroi se ngjarjet e tilla destabilizuese për vendin janë të papranueshme.
Ne duhet që së bashku ta kundërshtojmë dhunën që po shkatërron të ardhmen dhe zhvillimin tonë. Ngjarjet e fundjavës që lamë pas në Mitrovicë, që morën jetën e një qytetari të Kosovës dhe lënduan familjen e tij janë të papranueshme, ka thënë ajo.
Në Kosovën e lirë sipas saj nuk do të ketë vend asnjëherë për anarki, por për sundimin e rendit dhe të ligjit, për të cilën të gjithë ne jemi të përkushtuar.
Sundimi i ligjit siç ka thënë Jahjaga duhet të shtrihet në gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe komunat në veri të Kosovës dhe qytetarët serbë në këtë pjesë të territorit duhet të ndjehen dhe të trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të vendit.
"Integrimi nënkupton respektimin e integritetit territorial të secilit vend në rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe integritetin e Kosovës. Të gjitha çështjet e hapura brenda territorit tonë, do ti zgjidhim së bashku përmes dialogut tonë të brendshëm, të institucioneve të Kosovës me qytetarët e vendit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike."