Jahjaga në konferencën ndërkombëtare në Zagreb
Prishtinë, 25 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, morri pjesë në hapjen e punimeve të konferencës treditore ndërkombëtare Women driving economic growth in South Eastern Europe, që po mbahet në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb.
Konferenca ndërkombëtare organizohet nga Projekti Invest for the Future, që është krijuar me mbështetjen e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, dhe është një rrjet mbështetës për gratë ndërmarrëse në rajonin e Evropës Juglindore dhe Euro-Azisë.
Presidentja e Republikës, zonja Atifete Jahjaga, mbrëmë mori pjesë edhe në darkën solemne të organizuar për pjesëmarrëset në konferencë.
Ajo, në kuadër të konferencës, do të mbajë një fjalë në temën Sundimi i ligjit si një bazë për zhvillimin ekonomik dhe ndërmarrësi (Rule of law as a foundation for economic growth and entrepreneurship) dhe do të takojë edhe një numër pjesëmarrësesh dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë.
Në këtë konferencë, në mesin e 170 pjesëmarrëseve, marrin pjesë edhe kryeministrja e Kroacisë Jadranka Kosor dhe ambasadorja amerikane për çështjen globale të gruas Melanne Verveer.