29 Prill 2024

Jahjaga në hapjen zyrtare të Forumit 2000 në Çeki

Pragë, 10 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e cila po qëndron në Pragë, kryeqytet i Republikës së Çekisë, me ftesë të ish-presidentit çek, Vacllav Havel, mori pjesë sonte në hapjen zyrtare të punimeve treditore të Konferencës së 15-të të Forumit 2000.

Në hapjen zyrtare të këtij Forumi, në të cilin Presidentja e Republikës së Kosovës është ftuar si paneliste, morën pjesë personalitete të njohura dhe ekspertë të fushave të caktuara, ndër të cilët Vacllav Havel, Jozef Stiglic, laureat i Çmimit Nobel për ekonomi, Zhak Rupnik, politolog i njohur, Adam Mihnik, publicistë dhe personalitete të tjera botërore.

Në fillimin e punimeve të Konferencës së Forumit 2000, Presidentja e Republikës së Kosovës u takua me një numër personalitetesh dhe pjesëmarrës në këtë konferencë.

Presidentja Jahjaga gjatë punimeve të këtij forumi do të mbajë një fjalë dhe do të marrë pjesë në debate në temat që do të trajtohen në konferencën me temën "Demokracia dhe Sundimi i Ligjit".

Gjatë ditës së sotme, Presidentja Jahjaga  ka vënë lule tek përmendorja e Ian Pallahut, studentit çek që u flijua me djegie publike, duke u bërë simbol i Pranverës së Pragës, si simbol i lëvizjeve antikomuniste dhe i përpjekjeve për çlirim dhe për vendosje të demokracisë në shumë vende të Evropës.

Presidentja Jahjaga në kuadër të vizitës në Republikën e Çekisë, vizitoi edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në këtë vend, ku u prit nga ambasadori Hilmi Zogjani dhe stafi i ambasadës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)