Jahjaga në garë për presidente
Prishtinë, 3 tetor - Presidentja aktuale e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, sipas të gjitha gjasave, do të jetë kandidate për president të vendit, i cili për herë të parë do të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Lajmin e ka konfirmuar të dielën për Epokën e re në kushte anonimiteti një burim i besueshëm ndërkombëtar.
Presidentja Jahjaga, sipas të gjitha gjasave, do të jetë njëra nga kandidatet për president të Republikës së Kosovës, i cili do të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, pas ndryshimeve kushtetuese që priten të përfundojnë në fillim të vitit të ardhshëm, ka deklaruar ky burim.
Po sipas këtij burimi, për këtë kandidaturë është pajtuar edhe faktori ndërkombëtar, i cili e ka inkurajuar Jahjagën ti futet kësaj gare. Për kandidaturë të Jahjagës për presidente janë pajtuar diplomatët më të fuqishëm që veprojnë në Kosovë. Ata e shohin Jahjagën si njërën nga personalitetet më të besueshme në Kosovë.
Ata e konsiderojnë Jahjagën si një imazh pozitiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare, ka theksuar i njëjti burim.