Jahjaga mund të ketë fatin e Pacollit
Prishtinë, 27 dhjetor - Duket se presidentja Atifete Jahjaga do të ketë të njëjtin fat sikurse paraardhësi i saj, Behgjet Pacolli i cili u shkarkua nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas gazetes Express, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po shqyrtojnë mundësinë për ta dërguar në Gjykatë emërimin e Blerim Shalës si Koordinator për dialog, të bindur se me këtë akt Presidentja shkeli Kushtetutën.
Burime diplomatike i kanë thënë kësaj gazete se nëse rasti shkon në Gjykatën Kushtetuese, gjasat janë të mëdha që Atifete Jahjaga të shpallet shkelësja e radhës e aktit më të lartë politik dhe juridik të vendit.
Rasti është mjaft serioz, ka thënë diplomati i cili foli në kushte anonimiteti.