Jahjaga mbështet misionin e BE-së për vëzhgimin e Zgjedhjeve
Prishtinë, 4 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim delegacionin e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, dhe shefin e këtij Misioni, zotëri Roberto Gualtieri.
Presidentja Jahjaga theksoi se i jep mbështetje të plotë Misionit të Vëzhguesve të BE-së, prania e të cilëve do të ndihmojë në vendosjen e standardeve demokratike në zgjedhje. Presidentja tha se pas shkëmbimit të letrave me Baroneshën Ashton, Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve është dërguar në Kosovës dhe kjo ka rëndësi të veçantë për procesin gjithëpërfshirës.
Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës janë plotësisht të angazhuara për të siguruar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, që do të mundësojnë zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimë dhe legal.
Presidentja Jahjaga theksoi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme pasi ato do të mbahen në tërë territorin njëkohësisht, por gjithashtu shumë të rëndësishme edhe për komunitetin serb në Kosovë, sidomos në komunat e në pjesën veriore të territorit të Kosovës, të cilët për herë të parë kanë mundësinë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim dhe legal që do të përfaqësojnë interesat e tyre në kuadër të jetës politike dhe institucionale të Kosovës.
Shefi i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, zotëri Roberto Gualtieri, falënderoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen që po i jep misionit dhe për rolin e saj personal në gjithë këtë proces.
Gualtieri tha se prezenca e Misionit do të ndihmojë në rritjen e besimit dhe kjo do të mundësojë sukses në procesin demokratik në Kosovë.