Jahjaga, letër BE dhe Kuintit kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë
Prishtinë, 16 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka dërguar një letër Presidentit të Këshillit të Evropës, Herman von Rompuy, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, zonjës Caterine Ashton, dhe përfaqësuesve të pesë shteteve, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, pas vendimit të Republikës së Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.
Presidentja në letrën dërguar ndërkombëtarëve, thekson se tolerimi i këtij akti, të ndërmarrë nga Republika e Serbisë, gjithashtu rrezikon dialogun e ndihmuar nga BE-ja dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
I bëj thirrje Bashkimit Evropian dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të tregojnë vendosmëri në mos lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës. Republikës së Serbisë duhet ti bëhet e qartë se një nga kërkesat kyçe për rrugën e saj drejt integrimit në BE është parimi i respektimit të fqinjësisë së mirë, shprehet Jahjaga.
Ajo në letrën e saj dërguar ndërkombëtarëve po ashtu thekson se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, sfidon fuqishëm integritetin territorial dhe provokon destabilizimin e Kosovës, duke shtuar se Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës.
Që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Republika e Kosovës është ndërtuar mbi parimet e demokracisë me synime të qarta për anëtarësim në organizatat euroatlantike. Bashkimi Evropian, për shumë vjet ka luajtur një rol të rëndësishëm në Kosovë në ndërtimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe një shoqërie që respekton ligjin. Rruga jonë evropiane është një përpjekje e përbashkët me BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare për të ndërtuar një shtet stabil, faktor paqeje dhe stabiliteti dhe një shembull të respektimit të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e vendit, shprehet presidentja.
Më tej ajo thekson Si Presidente e Republikës së Kosovës unë jam e përkushtuar ndaj këtyre parimeve demokratike. Prandaj, po ju shkruaj për të shprehur shqetësimin tim të thellë me paralajmërimet e Republikës së Serbisë për të mbajtur zgjedhjet e saj lokale edhe në territorin e Republikës së Kosovës, me të cilat shkel sovranitetin e shtetit tim, sfidon fuqishëm integritetin territorial dhe provokon destabilizimin e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës.
Presidentja vlerësoi se çfarëdo përpjekje e Republikës së Serbisë për të organizuar zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës shkel normat dhe ligjet ndërkombëtare si dhe parimet themelore Evropiane. dhe si të tilla këto përpjekje janë të papranueshme dhe ilegale.