Jahjaga: Kosovës i duhen investimet e huaja

Prishtinë, 28 janar - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomike Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, sot ka vizituar Novobërdën, Kaçanikun dhe Hanin e Elezit.
Jahjaga vizitoi Kaçanikun në vazhdën e vizitave nëpër komunat e Kosovës, në kuadër të nismës së përbashkët me odat ekonomike e me qëllim të diskutimit të sfidave të zhvillimit ekonomik, përkrahjes së bizneseve dhe krijimit të lehtësirave për to, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë.
Në takime morën pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.
Presidendja Jahjaga i ka thënë kryetarit Ilazi se sot bashkë me kryetarët e odave ekonomike, në kuadër të iniciativës për ti takuar kryetarët e Komunave, jemi këtu për të diskutuar më hollësisht për gjendjen ekonomike në nivel të komunave, respektivisht në Komunën e Kaçanikut.
Jagjaga përmendi një varg problemesh që e rëndojnë fushën e ekonomisë me të cilat po ballafaqohen nivelet e komunave. Ajo tha se kryesisht janë probleme të aspektit ligjor, në aspektin administrativ, duke mos e anashkaluar edhe aspektin politik. Ne përmes këtyre takimeve dhe pas rekomandimeve të përfaqësuesve të odave ekonomike që janë bashkë me ne, do të shohim se si mund të intervenojmë sa më parë që është e mundur në tejkalimin e gjitha këtyre vështirësive, me qëllim që të tërheqim investime si brenda Kosovës, por veçanërisht investimet e huaja në Kosovë, të cilat janë të ndërlidhura me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe me zbutjen e papunësisë në vend, theksoi presidentja Jahjaga.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, z. Besim Ilazi e njoftoi presidenten me zhvillimet e përgjithshme në Komunë, me theks në fushën e ekonomisë dhe përpjekjet që po bënë pushteti lokal në Kaçanik për përkrahjen e bizneseve. Kryetari paraqiti disa nga problemet me të cilat përballen bizneset e sidomos procedurat e stërngarkuara për bërjen e biznesit, andaj kërkoi nga presidentja dhe kryetarët e odave ekonomike që të ndihmojnë në krijimin e lehtësirave në këtë fushë. Ne në nivel komunal ua kemi hequr taksat komunale bizneseve me qëllim të nxitjes së bizneseve, ndërkohë që kemi shpallur një zonë turistike te livadhet e Strazhës e po ashtu kemi shpallur edhe 4 zona industriale, theksoi Ilazi, ndërkaq e njoftoi presidenten edhe me mbështetjen për bizneset e vogla dhe mbështetjen për fermerët në fushën e bujqësisë.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se ne po bëjmë përpjekje që ekonominë ta drejtojmë drejt së ardhmes, andaj jemi duke u munduar që nëpër Komunat e Kosovës të identifikojmë sfidat me të cilat përballen bizneset në nivel lokal, ndërsa Arian Zeka, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane theksoi se ne do të jemi avokues në ndryshimin e procedurave burokratike të cilat aktualisht janë pengesë për të bërë biznes. Ai njoftoi se në Komunë e Kaçanikut është bërë një anketë me bizneset ku janë marr opinionet e tyre lidhur me vështirësitë, favoret por edhe mundësitë e të bërit biznes. Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi u shpreh se sektori privat është promotor i zhvillimit ekonomik edhe në nivel lokal.
Presidentja, zonja Atifete Jahjaga bashkë me kryetarët e tri odave ekonomike dhe kryetarin e Komunës, z. Besim Ilazi më pas e kanë vizituar fabrika për prodhimin e produkteve të paketimit fleksibil KIVO, ndërsa janë pritur nga z. Visar Ramajli, drejtor. Presidentja është njoftuar nga z. Ramajli me ecuritë e ndërmarrjes, ndërsa nga afër e ka përcjellur edhe procesin e prodhimit dhe është përshëndetur me punëtorët e kësaj ndërmarrje e cila është duke afaruar shkëlqyeshëm.