Jahjaga: Kosova ka treguar pjekuri politike
Prishtinë, 31 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim ish-Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Soren Jessen Petersen.
Presidentja Jahjaga dhe zotëri Jessen Petersen biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, ndërtimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin ndërkombëtar të vendit dhe për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon vendi, me theks të posaçëm në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 8 qershorit.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka treguar pjekuri politike me organizimin e zgjedhjeve komunale vitin e kaluar dhe vlerësoi se edhe zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme duhet të mbajnë të njëjtin standard demokratik si zgjedhje të drejta, të lira dhe të ndershme.
Presidentja Jahjaga dhe zotëri Soren Jessen Petersen biseduan edhe për procesin e integrimeve euro-atlantike për vendin.