Jahjaga: Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët
Prishtinë, 16 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Kryesuesin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, Senatorin Bob Corker.
Presidentja Jahjaga dhe Senatori Corker diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Republikës së Kosovës, bashkëpunimin rajonal dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Jahjaga falënderoi Senatorin Corker dhe Kongresin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, zhvillimin dhe të ardhmen e saj demokratike. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po e konsolidon demokracinë e saj të brendshme dhe përfaqësimin e saj ndërkombëtar, dhe mbetet një faktor i paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët të institucioneve dhe popullit të saj, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, dhe vlerësoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kongresit amerikan për Ballkanin dhe për procesin e integrimit euroatlantik të shteteve të këtij rajoni.