Jahjaga konsultohet me partitë politike rreth zgjedhjeve lokale
Prishtinë, 2 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të kompetencave Kushtetuese dhe ligjore, e ka përfunduar sot rrethin e parë të takimeve konsultative me partitë dhe subjektet politike parlamentare rreth zgjedhjeve lokale dhe afateve të përcaktuara ligjore për mbajtjen e tyre.
Presidentja Jahjaga ka takuar udhëheqës dhe përfaqësues të disa subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës: z.Avni Klinaku dhe z.Agim Kuleta nga Lëvizja për Bashkim, z.Hamza Balje nga BSDAK, z.Etem Arifi nga PAI, z.Sasa Djokic nga SDSKIM, znj. Rada Trajkoviq nga JSL, z.Danush Ademi nga PDAK dhe z.Xhevdet Neziraj nga IRDK.
Përfaqësuesit e subjekteve politike, që u takuan sot me Presidenten Jahjaga, paraqitën qëndrimet e tyre rreth afatit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Më 15 mars, Presidentja Jahjaga ka filluar konsultat me partitë dhe subjektet politike parlamentare për zgjedhjet lokale në Kosovë.
Takimet me subjektet politike joparlamentare për zgjedhjet lokale Presidentja Jahjaga do ti zhvillojë gjatë ditëve në vijim.