Jahjaga kërkoi mbështetjen e Austrisë për liberalizimin e vizave

Prishtinë, 20 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim kryeministrin e Republikës së Austrisë, zotëri Werner Faymann, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në vend, për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve si dhe për proceset integruese të Kosovës dhe të rajonit të Ballkanit.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi ndihmën që Republika e Austrisë i ka dhënë Kosovë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të saj por edhe përmes angazhimit të forcës paqeruajtëse të Austrisë në kuadër të KFOR-it, si kontribut jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por edhe për stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit.
Presidentja Jahjaga theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Austrisë janë shumë të mira dhe ato duhet të zgjerohen edhe në fusha të tjera, posaçërisht në atë të ekonomisë.
Ajo tha se Austria ka qenë një mbështetëse e fuqishme e proceseve integruese të Kosovës, dhe e vlerësoi të rëndësishëm vazhdimin e përkrahjes së Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane.
Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të thellojnë reformat në agjendën evropiane me qëllim të përshpejtimit të procesit të integrimeve.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka përmbyllur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Komisionin Evropian dhe pret zyrtarizimin me sukses të tyre së shpejti.
Ajo kërkoi mbështetjen e Austrisë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke theksuar se Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që nuk ka përfituar nga liberalizimi i vizave.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po bën të gjitha përpjekjet për të përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për të përmbyllur procesin e liberalizimit, që do tu mundësojë qytetarëve të saj lëvizjen e lirë në vendet e BE-së.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në procesin e konsolidimit demokratik të saj, përfshirë zgjedhjet e lira, demokratike e gjithëpërfshirëse, me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve.
Ajo tha se Kosova po dëshmon pjekuri dhe kulturë demokratike në zgjidhjen e të gjitha çështjeve përmes rrugëve institucionale, duke ndërtuar procese kredibile dhe transparente që rrisin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit dhe funksionimin demokratik të tyre.
Presidentja Jahjaga rikonfirmoi përcaktimin e Republikës së Kosovës për të qenë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet fqinje, përfshirë me Republikën e Serbisë.
Ajo tha se dialogu mes dy shteteve ka rezultuar në marrëveshje të rëndësishme që i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe theksoi se tash është e rëndësishme që këto marrëveshje të jetësohen në plotëni dhe që përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian të kushtëzohet mbi këtë bazë.
Presidentja Jahjaga po ashtu e njoftoi kancelarin Faymann për përpjekjet e Kosovës që të forcojë sundimin e rendit dhe ligjit, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe bashkëpunimit me misionin e EULEX-it në këtë aspekt.
Kancelari austriak Faymann përshëndeti sukseset e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj në konsolidimin e shtetit dhe krijimin e një demokracie të qëndrueshme, e cila do tu hapë rrugë investimeve ekonomike dhe do të forcojë perspektivën evropiane të Kosovës.