Jahjaga i kërkon Ashtonit dërgimin e vëzhguesve për zgjedhje
Prishtinë, 18 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka shkruar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimi Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, njëherit zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, baroneshës Catherine Ashton.
Jahjaga përmes letrës i ka kërkuar asaj dërgimin e një misioni evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.
Si Presidente e vendit, jam plotësisht e përkushtuar ti ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm që të sigurojmë zgjedhje të lira dhe të drejta në Kosovë, që do të rezultojnë me zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimë për të përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës dhe ti adresojnë brengat e tyre. Andaj, e ftoj Shkëlqesinë tuaj të dërgojë një mision të BE-së për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve, shkruan në letrën e presidentes.
Atifete Jahjaga gjithashtu ka shprehur kënaqësinë për takimin që e ka pasur me Baroneshën Ashton javën e kaluar ku siç thuhet në letër, është diskutuar për zbatimin e marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Në veçanti jam e kënaqur që kishim mundësinë të diskutojmë bashkërisht për rëndësinë që bart kjo periudhë për përpjekjet dhe ndërmarrjet e reja për të integruar plotësisht të gjithë qytetarët dhe për ti forcuar institucionet tona demokratike, thuhet në letrën e Jahjagës drejtuar Ashtonit.