17 Maj 2024

Jahjaga i ka kthyer përgjigje negative LDK-së

Prishtinë, 14 dhjetor - Atifete Jahjaga i ka kthyer të mërkurën përgjigje negative kërkesës së LDK-së që ajo të largohet nga Presidenca për t’u lëshuar rrugë ndryshimeve kushtetuese dhe krijimit të kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale.

Një ditë më parë, partia e Isa Mustafës bojkotoi fjalimin e Presidentes dhe vendosi të mos marrë pjesë në asnjë nismë të zyrtares që përfaqëson unitetin e popullit.

Madje, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, deklaroi se injorimi i Presidentes do të ndodhë për aq kohë sa ajo nuk e respekton Marrëveshjen e shndërruar në Rezolutë të Kuvendit, me të cilën ish-policja u bë Presidente.

Ky zyrtar i LDK-së ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Jahjagës. Por, në Presidencë thonë se dorëheqja e Jahjagës nuk është paraparë në asnjë dokument dhe se një gjë e tillë është vetëm “akt moral”.

“Edhe pse LDK-ja publikisht ka deklaruar se dëshiron dorëheqjen e Presidentes Jahjaga për të vazhduar të marrë pjesë në reformën kushtetuese e zgjedhore, edhe njëherë e sqarojmë se dorëheqja është akt moral dhe nuk është e paraparë as me Rezolutën e tri partive politike e as me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës së Presidentes Jahjaga,

Zyra e shefes së shtetit ka shkruar se LDK asnjëherë nuk i është drejtuar Presidentes dhe as Kuvendit për çështjen e kohëzgjatjes së mandatit të Jahjagës. “Për këtë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese në amendamentet e propozuara për ndryshimet kushtetuese dhe ky vendim është obligues”.

Presidentja Jahjaga ka ardhur në krye të shtetit në prill të vitit të kaluar pas një marrëveshje të arritur në mes të PDK-së, AKR-së dhe partisë opozitare, LDK. Aty ishte paraparë të ketë reforma zgjedhore dhe kushtetuese që do ta ndryshonin sistemin e zgjedhjes së Presidentit jo më nga Parlamenti, por drejtpërdrejt nga qytetarët.

Por, në gusht të këtij viti Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se propozimet e partive politike për të shkurtuar mandatin e Presidentes janë jokushtetuese.

Tash, Presidenca kërkon respektimin e normave kushtetuese për çfarëdo hapi të partive politike. “Duhet të respektohet rezoluta dhe zgjedhja e Presidentit të vendit duhet të bëhet në respektim të plotë të kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë”.

Por, LDK përsërit kërkesën që Jahjaga të reflektojë dhe të mos bëhet pengesë e proceseve politike. Deputeti i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka thënë se ajo duhet ta respektojë marrëveshjen, pasi është produkt i saj. “Marrëveshjet që nënshkruhen, pranohen dhe prodhojnë rezultatet duhet të respektohen nga të gjithë”, ka thënë Haziri.

Ai ka konfirmuar se shefja e shtetit do të bojkotohet për aq kohë sa nuk merr vendimin për të mundësuar reformat kushtetuese. Megjithëkëtë, në Presidencë kanë thënë se situata të ngjashme të bojkotimit të Presidentit kanë ndodhur edhe më herët me Presidentin Rugova.

Zyrtarët e Presidencës kanë thënë se nuk është e domosdoshme që gjithmonë Presidentja të shprehë edhe unitetin politik, pasi “edhe presidentët e mëparshëm apo presidentët e vendeve të tjera e shprehin unitetin institucional dhe qytetar”.

Sipas Zyrës së Jahjagës, LDK i ka përzier interesat politike me veprimet institucionale. “Ndonjëherë partitë politike i konfrontojnë ose i vlerësojnë interesat dhe qëllimet politike me veprimet institucionale”.

Por, Lutfi Haziri ka thënë se Jahjaga gabon nëse mendon se unitetin e popullit e përfaqëson duke u konfrontuar me partinë e dytë në Kosovë.

“Mund t’ju them se me Kushtetutë unitetin e popullit e përfaqëson Presidenti dhe nëse injorohet partia më e madhe opozitare, e cila është përfaqësuese e gjysmës së popullit, atëherë duhet me vlerësu vetë ata që deklarojnë kështu”, ka shtuar ai.

Sipas Hazirit, mosrespektimi i marrëveshjes së liderëve po bëhet për të ndryshuar kohën e paraparë për zgjedhjet e përgjithshme. “Zgjedhjet nuk mund të ndahen nga marrëveshja politike. Kalendari i ri zgjedhor parasheh mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm, zgjedhjet lokale janë mandatore dhe në mes të kësaj është zgjedhja e Presidentit me mandat të plotë”.

Zyra e Presidentes duke i reaguar LDK-së thekson se Rezoluta e Kuvendit parasheh afatin gjashtëmujor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit pas përfundimit të reformës kushtetuese dhe hyrja e tyre në fuqi.

“Pra, si në të gjitha shtetet demokratike, Presidentja angazhohet për pranim-dorëzim të rregullt të detyrës kurdo që kjo të ndodhë, sepse i përket Kuvendit të Kosovës të caktojë datën dhe të shpallë zgjedhjet. Largimi i Presidentes nga detyra, për çfarëdo arsye, do të hapte krizën zgjedhore dhe në zbatim të ligjit do të thoshte emërimin e ushtruesit të detyrës së Presidentit, të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve për President”, është përgjigjur Presidenca.

 

/ekspres/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)