Jahjaga: Gruaja me rol vendimmarrës, sinonim i shoqërisë
Prishtinë, 10 dhjetor Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga me rastin e lansimit të projektit Gratë në institucionet e Sigurisë së Kosovës, ka dekalruar se pjesëmarrja e barabartë e gruas në çdo segment të jetës, e sidomos në nivelin e vendimmarrjes qoftë atë lokal apo qendror është vlerë e shtuar për shoqërinë tonë dhe pasqyrim i identitetit të Republikës së Kosovës.
\"Barazia gjinore po shndërrohet sot në një prej çështjeve më të theksuara në shoqëritë në botë, por gjithsesi edhe në shoqërinë tonë, duke kërkuar respektimin e të drejtës së gjithsecilit, një e drejtë e garantuar edhe me Kushtetutën e shtetit tonë që synon të ndërtohet mbi parimet e barazisë\", ka theksuar ajo.
Ajo ka vlerësuar angazhimin e veçantë, që prej idesë fillestare për themelimin e Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës e deri më sot, të zonjës Flora Macula nga UN-WOMEN, të Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze, zëvendësshefes së misionit të OSBE-së, zonjës Paivi Nikander, së bashku me zonjën Shpresa Çeku Muharremi, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e institucioneve të sigurisë dhe në zbatimin e rendit dhe ligjit.
\"Në Evropën juglindore, një rajon që vazhdon të shihet si përgjithësisht patriarkal, tradicionalisht sektori i sigurisë është konsideruar fushë e rezervuar vetëm për burra, edhe pse gjatë historisë shumë gra kanë luftuar krah për krah me burrat për çlirimin e vendit të tyre, gra që kanë dhënë kontribut shumë të çmuar në ndërtimin e institucioneve të shtetit dhe në zhvillimin e demokracisë\", ka theksuar ajo.
Sipas saj ne po i thyejmë këto paragjykime me punën dhe angazhimin e palodhshëm dhe profesional të grave në Policinë e Kosovës, në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në Shërbimin Korrektues dhe në Shërbimin Doganor.
\"Gruaja me rol vendimmarrës në institucionet e sigurisë është sinonim i një shoqërie të zhvilluar e demokratike dhe ne duhet të angazhohemi dhe të punojmë çdo ditë për realizimin e këtij synimi. Gratë në institucionet e sigurisë e kanë ndryshuar perceptimin e qytetarëve për sigurinë, duke e bërë atë një institucion gjithëpërfshirës. Roli dhe kontributi i gruas është i pamohueshëm në ndërtimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës\", ka theksuar ajo.
Duke shtuar se përmes profilit të këtyre grave, të pasqyruar në këtë dokumentar, e kuptojmë se sa i rëndësishëm është roli dhe ndikimi i gruas në institucionet e sigurisë, dhe përgjithësisht në shoqërinë tonë, dhe në të njëjtën kohë duhet të angazhohemi që ky rol të fuqizohet edhe më shumë.
\"Duhet të tregojmë përkushtimin tonë në vendosjen e rendit dhe të sundimit të ligjit, duke shtuar angazhimin e të gjitha institucioneve për çrrënjosjen e korrupsionit dhe luftimin e krimit të organizuar. Këto dukuri po e mbajnë peng rrugën tonë drejt integrimeve evropiane dhe po e cenojnë zhvillimin e mëtejmë të shoqërisë\", ka theksuar ajo