Jahjaga: Gruaja kosovare, viktima më e madhe e luftës
Në tryezë ishin të pranishëm edhe ministrat në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku e Ferid Agani, si dhe përfaqësuese të organizatave vendore për gratë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga, duke marrë fjalën tha se Dhuna seksuale në konflikte, si mjet i luftës për arritjen e qëllimeve politike, është një prej çështjeve më të ndjeshme në Kosovën e pasluftës, dhe një prej tragjedive më të rënda që ka prekur një numër të madh të femrave shqiptare.
Kjo çështje, në shoqërinë e Kosovës, vazhdon të jetë një temë e mbyllur dhe e patrajtuar megjithatë pasojat që ajo lë pas, meqë qëllimi themelor i kësaj dhune ishte mbjellja e urrejtjes dhe vazhdimi i luftës edhe atëherë kur ajo në fushëbetejë ka përfunduar.
Dhuna seksuale është bërë pjesë e pothuaj secilit konflikt të armatosur, kudo në botë, si një prej mjeteve më të tmerrshme për mposhtjen dhe nënshtrimin e një populli dhe rajoni të caktuar.
\"Si institucione ne duhet të bëjmë çmos që të gjejmë rrugët ligjore dhe të forcojmë mekanizmat ekzistues për tiu dalur në ndihmë atyre. Në kuadër të kësaj përgjegjje institucionale, si Presidente e Republikës së Kosovës dhe nikoqire e samitit ndërkombëtar të grave të mbajtur në Kosovë muajin e kaluar, në kuadër të Parimeve të Prishtinës për herë të parë kemi kërkuar që grave të përdhunuara tiu njihet statusi ligjor si viktima të luftës, që publikisht të njihet spektri i përvojës së tyre dhe të bëhet kompenzimi i plagëve të tyre\", ka pohuar ajo.