Jahjaga Foundation lanson edicionin e parë të revistës ZA
Prishtinë, 28 dhjetor - Fondacioni Jahjaga, në vazhdim të projekteve dhe aktiviteteve për barazi gjinore, lanson edicionin e parë të revistës ZA.
Revista ZA sjellë histori avokuesve për barazi gjinore të cilët kaluan nëpër vështirësi, i dhanë komunitetit shumë nga vetja dhe luftuan për të drejta të barabarta.
ZA ka kuptim të dyfishtë - në shqip i referohet zërit të grave dhe avokimit të barazisë gjinore, ndërsa në serbisht do të thotë “për” që është dedikim për të gjithë gratë dhe burrat që punojnë vazhdimisht dhe ju bëjnë ballë sfidave të ndryshme për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë.
Në edicionin e parë, Presidentja e Kosovës (2011-2016), Atifete Jahjaga, ju drejtohet me një letër vajzave të Kosovës.
Duke dhënë një histori të padëgjuar më herët, Jahjaga flet për fëmijërinë, karrierën në Policinë e Kosovës dhe rrëfimin për rrugëtimin drejt presidencës. Ajo jep detaje nga jeta e saj, para dhe pasi mori Zyrën e Presidentes.
Edicioni i parë sjellë intervista me gra të cilat rrëfejnë për herë të parë historitë e tyre. Në këtë edicion, vijnë rrëfime të dhunës në familje, kapituj të vështirë që personazhet tona arritën t’i mbyllin dhe të shohin jetën tutje. Rrëfimet vazhdojnë me gra që po thyejnë barrierat në profesione që deri dje shoqëria i projektonte vetëm për burrat.
Meqë lufta për barazi gjinore nuk u takon vetëm grave, ZA sjellë në vëmendje edhe historitë e burrave që përkrahën vajzat dhe gratë në fusha të ndryshme duke filluar nga sporti dhe arti, deri tek industria e teknologjisë informative e edhe feja.
Revista ZA do të jetë në dispozicion online, përmes uebfaqes të Fondacionit Jahjaga, si dhe në 500 kopje fizike.
Ky është vetëm edicioni i parë i revistës dhe Fondacioni Jahjaga veçse është duke punuar në edicionin e dytë.
Kjo revistë publikohet me mbështetjen e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë përmes Planit të Tretë Kombëtar të Italisë për "Gra, Paqe dhe Siguri".