Jahjaga e Nishani në inaugurimin e Erdoganit
Prishtinë, Tiranë, 25 gusht - Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga do të jetë në mesin e 51 liderëve botërorë që do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, më 28 gusht. Në ceremoninë që do të zhvillohet në Ankara, do të marrë pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
Ankaraja do të mirëpres liderët e 51 vendeve dhe zyrtarë nga tetë organizata ndërkombëtare në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Recep Tayyip Erdogan, më 28 gusht.
Ndërkohë, në këtë ceremoni, nuk u ftuan liderët nga Izraeli dhe Egjipti.
Presidenti amerikan Barack Obama nuk merr pjesë në ceremoni, por një delegacion nga Shtëpia e Bardhë do të jetë në Turqi, për të respektuar ftesën.
Nuk bëhet e qartë, se zyrtarë të cilit nivel do të jenë në Ankara. Të njëjtën do e bëjë edhe Kina, duke dërguar një delegacion të tillë.
Rusia, Gjermania dhe Holanda do të përfaqësohen me ministrat e tyre të jashtëm. Lideri sirian Bashar al-Assad nuk është ftuar, pasi Turqia nuk e njeh atë si liderin legjitim të Sirisë, por ftesa i ka shkuar Hadi al-Bahra, president i Koalicionit Kombëtar të Revolucionit Sirian si dhe liderët e Forcave Opozitare.