Jahjaga e Krasniqi mirëpresin vendimin e Tribunalit
Presidentja e Kosovës shpreh kënaqësinë që Haradinaj po i kthehet familjes së tij, qytetarëve të Kosovës dhe vendit, për të vazhduar kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi ynë.
Vendimi i sotëm i Tribunalit të Hagës për zotëri Haradinajn dhe ish-bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, është edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë veshur, thuhet në një kumtesë të Presidencës.
Presidentja e Kosovës përgëzon qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës në përpjekje për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe durimin e tyre gjatë kësaj periudhe.
Vendimin e Tribunalit ka mirëpritur edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi i cili e ka quajtuar akt madhor me të cilin për të satën herë rrëzohen akuzat e pabaza kundër drejtësisë dhe pastërtisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
\"Vendimi i sotëm Tribunalit të Hagës, me të cilin shpallen të pafajshëm zotërinjtë Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, rikonfirmon pastërtinë e luftës që kanë bërë këta luftëtarë dhe shokët e tyre. Edhe njëherë u dëshmua se drejtësia mund të vonojë, por vjen përfundimisht\", ka theksuar Krasniqi.
Me këtë vendim, drejtësia ndërkombëtare sipas tij dëshmoi profesionalizmin e saj, kredibilitetin dhe besueshmërinë e lartë që gëzon.
\"Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë çlirimtare dhe sipas zakoneve e rregullave ndërkombëtare të luftës, prandaj nuk mund të inkriminohet nga asnjë gjykatë.\"