Jahjaga e gatshme ta ftojë Nikoliqin në Prishtinë
Prishtinë, 30 shtator - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shprehur tashmë dëshirën dhe vullnetin e saj që ta ftojë në Samitin e gjashtë të presidentëve të Ballkanit Perëndimor i cili do të mbahet në Kosovë, edhe homologun nga Serbia, Tomislav Nikoliq.
Jahjaga kishte adresuar një ftesë publike për presidentin Nikoliq, pas Samitit të pestë të mbajtur para pak ditësh në Durrës.
Por, si nikoqire e Samitit të ardhshëm, Jahjaga me gjasë do ta ftojë edhe zyrtarisht Nikoliqin në Kosovë, edhe pse ky i fundit ditë më parë ka thënë se ende nuk është momenti i duhur për një takim të tillë në Kosovë, shkruan Tribuna.
Zëdhënësi dhe këshilltari politik i presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë për Tribuna se presidentja e Republikës, që prej pjesëmarrjes në Samitin e tretë në Ohër, në vitin 2011 ka shfaqur gatishmërinë e takimit me presidentin e Republikës së Serbisë, dhe ka përsëritur qëndrimin e saj se në samitet e presidentëve të rajonit duhet të marrin pjesë edhe presidenti i Serbisë dhe ai i Bosnjë dhe Hercegovinës.
(Tribuna)