Jahjaga e Feith dënuan vrasjen e Asanajt
Prishtinë, 14 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga shpreh dhembjen e thellë për vdekjen tragjike të Dino Asanaj, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Dino Asanaj ishte një veprimtar dhe njeri i përkushtuar në shërbim të vendit dhe të popullit dhe puna e tij në Agjencinë e Privatizimit ishte e suksesshme, duke ndihmuar kështu në transformimin e pronës dhe zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.
Presidentja i shpreh ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe shokëve të Dino Asanajt, për këtë humbje të madhe, duke përkujtuar me pietet figurën e tij.
Edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Pieter Feith dënoi sot vrasjen e Dino Asanajt, Krytarit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
ICR Pieter Feith theksoi me ketë rast: Dino Asanaj ka punuar pa pushim për të ardhmen e vendit të tij si një demokraci e lirë dhe moderne evropiane të bazuar në ekonominë e tregut. Jam i pikëlluar thellë nga lajmi për vrasjen e tij dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij.
Shumë miq dhe kolegë të tij në Zyrën Civile Ndërkombëtare do ta mbajnë mend Dino Asanajn për udhëheqjen dhe përkushtimin e tij për ta çuar Kosovën drejt një të ardhmeje ekonomike me më shumë prosperitet.