Jahjaga: Dialogu Kosovë - Serbi ofron zgjidhje evropiane
Prishtinë, 1 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, zotëri Jean François Fitou.
Presidentja Jahjaga dhe ambasadori Fitou biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në veçanti për procesin e përmbylljes së fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë.
Ambasadori Fitou theksoi se Kosova dhe gjithë rajoni, ka perspektivë evropiane dhe theksoi nevojën e thellimit të reformave në vend.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, tha se faza e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë shënon një sukses të institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës si dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
Ajo tha se Kosova shtet sovran dhe i pavarur duhet ta ketë të qartësuar rrugën evropiane dhe e vlerësoi fillimin e dialogut për vizat.
Presidentja Jahjaga tha se marrëdhënia kontraktuale me BE-në do ta ndihmonte Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane.
Ajo tha se dialogu i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së duhet të ofrojë zgjidhje evropiane të cilat duhet të garantohen nga Bashkimi Evropian.